Ali Ahmeti e shpalosi “befasinë”, Bashkimin Demokratik për Integrim e shpalli si parti të gjelbër

Bashkimi Demokratik për Integrim në përvjetorin e themelimi të saj u pozicionua deklarativisht si parti e gjelbër në konferencën e sotme për media, transmeton Portalb.mk.

“Pas miratimit të pjesës normative Marrëveshjes Paqësore të Ohrit dhe zbatimit të përditshëm të saj, reformave thelbësore, anëtarësimit në NATO dhe vulosjes së të ardhmes evropiane, ka ardhur kohë që BDI të fokusohet tërësish në cilësinë e të jetuarit, kushteve të jetesës së përditshme, zhvillimin, arsimin dhe shëndetësinë cilësore, drejtësi joselektive, digjitalizimin, politikat sociale, infrastrukturën, ekonominë dhe mjedisin jetësor”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ai për përfaqësimin e politikave të gjelbra mori shembull Greta Tunden, si dhe kohën e rinisë së tij kur lumenjtë ishin të pastra e të pijshëm, ndërsa tash theksoi që janë të ndotura dhe të rrezikshme për shëndetin.

“Një vajzë e re Greta Thunberg, përshkroi botën me alarmin për ndryshimet klimaterike e politikën ambientaliste, dhe të gjithë ja hapëm dyert. Erdhi koha që edhe ne të hapim derën dhe të përqafojmë këto politika, për një të ardhme të gjelbër, të sigurt dhe të shëndosh”, deklaroi Ahmeti, duke i numëruar edhe deponitë e mbeturinave si probleme të përditshme, ndërsa paralajmëroi që agjenda e gjelbër do të jetë kryefjalë edhe për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Ndryshe, sot është edhe Dita Ndërkombëtare e Mjedisit Jetësor, derisa shtete të ndryshme tashmë kanë shpallur luftën për mbrojtjen e mjedisit jetësor në periudhën kur ndryshimet klimatike, të shfaqura si ngrohje globale, janë tashmë evidente.

Në Deklaratën e themelimit të BDI-së dhe në Statutin e tij në nenin 16, theksohen qëllimet dhe detyrat e partisë, ku bëjnë pjesë edhe: Implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, Integrimi dhe risocializimi i ish-luftëtarëve në shoqëri, kthimi i të gjithë refugjatëve në vendbanimet e tyre, zgjidhjen e problemit të arsimit sipëror në gjuhën shqipe me kujdes veçantë në rritjen e kualitetit dhe profesionalizmit, etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *