Bedri Hamza edhe zyrtarisht kandidat i PDK’së për kryetar të Mitrovicës

Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi, e ka zyrtarizuar Bedri Hamzën si kandidat për kryetar të Komunës së Mitrovicës.

Krasniqi përmes një shkrimi në llogarinë e tij në facebook, ka postuar fotografi me Hamzën, ku ndër të tjera thotë “Bedri Hamza është Kandidati i PDK-së për Mitrovicën në zgjedhjet e tetorit”.

PDK’ja me Hamzën synon ta rikthejë Komunën e Mitrovicës, pasi që dy mandatet e fundit Mitrovicën e ka fituar Agim Bahtiri me AKR’në.

Shkrimi i plotë i Krasniqit:

Nga një qytet me rëndësi të veçantë siç është Mitrovica, dhe nga një vend i kujtimeve të mira siç është Ëmbëltorja Ballkan, jam shumë i lumtur ta shpërndaj një lajm po ashtu të veçantë, të mirë e të rëndësishëm që do t’i flladitë zemrat e qytetarëve të Mitrovicës.

Bedri Hamza është Kandidati i PDK-së për Mitrovicën në zgjedhjet e tetorit.

Një profesionist të lartë, një punëtor të madh, një njeri të urtë e të ndershëm si Bedri Hamzën do të donte ta kishte të vetin secila komunë. Por, këtë fat e ka Mitrovica.

Një fat i mirë dhe i rrallë ky që me padurim do të përqafohet nga të gjithë qytetarët – për t’i dhënë fund talljes së gjatë me qytetin e tyre, e për t’i dhënë seriozisht shans jetës që ata e meritojnë.

Sepse, të gjithë pajtohen: S’ka si Bedri Hamza!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com