Detaje nga helmimi i mbi 1 mijë e 500 qytetarëve në Deçan, në mesin e tyre edhe 51 fëmijë - Realiteti

Detaje nga helmimi i mbi 1 mijë e 500 qytetarëve në Deçan, në mesin e tyre edhe 51 fëmijë

Mbi 1 mijë e 500 persona, në mesin e tyre edhe 51 fëmijë janë helmuar në Deçan. Dyshimet e para janë se banorët e kësaj komune janë helmuar nga uji i pijshëm. Ndërsa, komuna e Deçanit sot ka shpallur gjendjen emergjente për shkak të helmimeve, derisa prokuroria ka filluar hetimet për mënyrën se si ka ardhur helmimi i mbi 1 mijë e 500 personave.

Mbi 1 mijë e 500 qytetarë të Deçanit kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga e shtuna deri sot për shkak të helmimit. Dyshimet janë se helmimi ka ardhur nga uji i pijes.

Ndërsa, në mesin e të helmuarve janë edhe 51 fëmijë, të cilët janë dërguar për trajtim në Spitalin e Pejës.

“Që nga dita e shtunë e deri më tani kanë kërkuar ndihmë shëndetësore 77 qytetarë nga Deçani dhe atë 51 në repartin e pediatrisë dhe 26 në emergjencë“, kanë thënë zyrtarë për informim të Spitalit të Pejës.

Në anën tjetër, drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, Selmon Berisha, ka thënë sot për media se numri i personave të helmuar që kanë kërkuar ndihmë shëndetësore në këtë qendër ka shkuar në mbi 1 mijë e 500.

Ai ka thënë se gjendja e pacientëve është e mirë.

Ndërsa, derisa gjatë 24 orëve të fundit në këtë qendër janë raportuar dy viktima, mjekë nga QKMF kanë thënë për Express se viktimat kanë pasur probleme tjera shëndetësore, njëri edhe probleme me zemër, andaj edhe vdekjet e tyre nuk janë lidhur me helmimin.

Komuna e Deçanit, në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjit për Parandalimin dhe Sëmundjeve Ngjitëse të Statutit të komunës së Deçanit, ka marrë vendim sot që të shpallet gjendje emergjente në tërë territorin e kësaj komune.

Me t’u marrë ky vendim është kërkuar që të punohet me kapacitete të plota njerëzore dhe humane për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të Deçanit.

Ndërsa, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” ka kërkuar që uji në fshatrat e Deçanit të mos përdoret për pije.

Takimi i KRU “Hidrodrinit” në lidhje me ndërprerjen e ujit të pijshëm pas helmimit të qytetarëve.
Prokuroria nis hetimet

Dy vdekje të dyshimta janë regjistruar në 24 orët e fundit në Deçan.

Për shkak të situatës së krijuar nga helmimet, vdekja e këtyre dy personave është cilësuar si e dyshimtë.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka thënë për Express se pasi kanë marrë informatat në lidhje me vdekjet e dyshimta, për shkak të situatës së krijuar, prokurori kujdestar ka kërkuar që trupat e pajetë të dërgohen për obduksion.

Ndërsa, me të pranuar informatat për helmim, Nikçi ka deklaruar se prokurori ka autorizuar policinë që të ndërmerrë veprime hetimore dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik që t’i marr disa mostra të ujit dhe t’i dërgoj në laborator.

“Pasi kemi pranuar informatat në lidhje me vdekjet e dyshimta dhe për shkak të situatës së krijuar në atë rajon, viktimat janë dërguar në mjekësi ligjore për obduksion dhe në varësi prej raportit do të zhvillohen edhe veprimet e mëtutjeshme. Fillimisht pasi kemi pranuar informatat, prokurori ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore dhe IKSHPK’në që t’i marr disa mostra të ujit dhe të dërgohen në laboratorët e këtij instituti dhe varësisht nga rezultatet finale do të merren veprimet e mëtutjeshme procedurale“, ka thënë ai.

Përndryshe, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë dje në një konferencë për media se për shkak se probleme me ujin e pijes ka pasur edhe njëherë gjatë këtij muaji, kjo i shtyn ata të mendojnë se këto probleme mund të jenë edhe të qëllimshme.

Ai ka ftuar institucionet përkatëse që të merren me këtë rast.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *