Frika nga varianti i ri i COVID-19, BE-ja suspendon udhëtimet nga Afrika e Jugut

2. LAJME

Shtetet e Bashkimit Evropian (BE), janë pajtuar të suspendojnë udhëtimet që vijnë nga shtetet e pjesës jugore të Afrikës, pasi që më 26 nëntor bota u alarmua nga një variant i ri i COVID-19, njoftoi Presidenca e Bashkimit Evropian, raporton agjencia e lajmeve, Reuters.

Varianti i ri i koronavirusit tashmë ka marrë emërtimin nga Organizata Botërore e Shëndetësisë(OBSH) si ‘Omicron’.

Një komitet i ekspertëve shëndetësorë nga 27 shtetet anëtare të BE-së “u pajtua rreth nevojës për të aktivizuar ndalesën emergjente dhe të imponohen masa të përkohshme për të gjitha udhëtimet drejt BE-së nga Afrika jugore”, njoftoi Presidenca sllovene e BE-së në një postim në Twitter.

Ndalesat do të zbatohen për shtetet si Botsvana, Esvatini, Lesoto, Mozambik, Namibia, Afrika e Jugut dhe Zimbabve, njoftoi zëdhënësi i Komisionit Evropian(KE), Eric Mamer.

“Testet, karantinimi dhe gjurmimi i kontakteve për udhëtarët që vijnë janë të rëndësishme”, shkroi Mamer në Twitter.

Varianti i ri i koronavirusit, i cili u zbulua fillimisht në Afrikën e Jugut, ka shkaktuar alarm global derisa hulumtuesit po përpiqen të zbulojnë nëse është rezistentë ndaj vaksinës.

Në lidhje me variantin e ri të koronavirusit, Organizata Botërore e Shëndetësisë më 26 nëntor e cilësoi si “variant për t’u shqetësuar”. /REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *