Gjithçka që dihet deri tash për krimin makabër në Deçan

2. LAJME

Mbrëmja e së premtes ishte tronditëse për gjithë vendin. Në Deçan një autobus që po qarkullonte nga Gjakova në drejtim të Gllogjanit u sulmua me armë zjarri, ku e gjetën vdekjen tre persona, dy prej tyre maturantë dhe shoferi i autobusit.

Nga të shtënat me armë u plagos edhe një nxënës tjetër, i cili deri më tani raportohet të jetë në gjendje stabile. Atij mbrëmë në Spitalin e Pejës, iu hoq edhe plumbi.

Ndërsa gjyshi i tij, Musli Turkaj ka thënë se ai është nxënës i shkollës së mesme ekonomike në Gjakovë dhe çdo ditë udhëton për në shkollë. Ai derisa u ka shprehur ngushëllime familjarëve të të lënduarit nuk ka dashur të ngrisë dyshime për asgjë rreth gjithçka je që ka ndodhur aty.

“Ai është nxënës i shkollës së mesme ekonomike në Gjakovë duke u kthyer ka ndodhur ngjarja. U shpreh ngushëllime të gjitha atyre familjeve që kanë humbur me të dashurit. Flijanti ishte në operacion, sipas mjekësve operacioni është kryer me sukses, plumbin ia kanë heq që i ka mbet në këmbë, po ndihet mirë. Mjekët thanë se tash nuk ka problem”, tha ai, duke shtuar se mjekët i thanë se nuk është në gjendje të rënd dhe gjithçka do të bëhet mirë për nipin e tij.

Autori i këtij akti kriminal ende nuk është kapur, madje nga hetimet fillestare të organeve të rendit nuk është thënë për të dyshuar. Ajo që u bë me dije ishte se policia po punon në dy-tri në të cilat po kryhet për vrasjen.

“Sonte në këtë vend ku qëndrojmë në kemi pas një situatë tragjike. Fatkeqësisht një person ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të plagosurit kanë vdekur në spitalin e Pejës dhe një tjetër është i plagosur dhe është jashtë rrezikut për jetë. Hetimet janë intensitetin më të madh të mundshme të gjitha njësitet relevante janë këtu dhe aktualisht jemi duke bërë hetimet preliminare dhe fillestare[…]Aktualisht i kemi dy apo tri pista që jemi duke punuar. Fatkeqësisht nuk mund të jap detaje për shkak se pistat në të cilat jemi duke hetuar janë në fazën fillestare. Kjo do të thotë se jemi në dy ose tri drejtime të caktuara, kemi dyshime me një bazë të caktuar por është shume herët me thënë se kemi person të dyshuar. Aktualisht ne kemi njësi të mjaftueshme policore në gjithë këtë zonë. Mirëpo në situatë në teren, qeni nuk arrin me nuhat erën e ndonjë të dyshuari potencial apo armë, ne kemi edhe njësinë e qenve. Janë duke u zhvilluar aktivitet, janë duke intervistuarat individ dhe persona që mund të ndërlidhen potencialisht me rastin. Informacionet fillestare tregojnë për një person por potencialisht mund të ketë edhe të tjerë”, tregoi drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Policia hedhi poshtë edhe pretendimet e raportuar për gjoja një sulm terrorist.

Në vendin e ngjarjes, pra në Gllogjan zbarkuan gjithë njësitet relevante që mund të çonin në kapjen e një krimineli i cili la përgjysmë ëndrrën e maturantëve dhe të ardhmen e kryefamiljarit (shoferi i autobusit). Rrugën për tek vendi tragjik shkuan edhe ministrat e kabinetit qeveritar.

Reagime të shumta erdhën nga përfaqësues të shtetit dhe përfaqësues të partive politike, të cilët ishin një zëri, zbardhjen sa më të shpejt të rastrit dhe autori i krimit makabër të dërgohet para drejtësisë për të marrë dënimin e merituar.

E para e shtetit, Vjosa Osmani derisa e quajti tronditës lajmin për aktin kriminal, theksoi se sulmi ndaj autobusit me nxënës është goditje ndaj rendit të sigurisë së shtetit të Kosovës. Presidentja Osmani tha se nuk do të zmbrapsen në përmbushjen e misionit për të ofruar siguri për qytetarët.

“Tronditës lajmi për aktin kriminal në Gllogjan, në të cilin sipas të dhënave aktuale kanë humbur jetën 3 persona dhe ka mbetur një i plagosur. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të të vrarëve dhe uroj shërim të shpejtë për të lënduarin.Ftoj organet e rendit që sa më parë t`i zbulojnë autorët e krimit dhe t`i sjellin para drejtësisë.Sulmi ndaj autobusit me nxënës është goditje ndaj rendit e sigurisë sonë. Siguria e qytetarëve është prioritet, ndaj nuk do të zmbrapsemi në përmbushjen e këtij misioni”, shkroi Osmani.

Edhe Konjufca kishte thirrjen e njëjtë, atë të zbulimit sa më parë të autorit të krimit.

“Sonte u tronditem nga rasti tragjik i cili ndodhi në Gllogjan të Deçanit. Nga lajmet qe po lexojmë deri tani, kanë humbur jetën tre qytetarë ku dy prej tyre janë fëmijë. Bashkëndjejmë me familjarët e viktimave nga kjo ngjarje me përmasa kriminale.I nxis organet e rendit që sa më parë të zbulojnë autorët e këtij krimi të rëndë dhe t’i sjellin ata para drejtësisë. Orët janë të gjata”, ishte shkrimi i Konjufcës.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një deklaratë për KosovaPress e ka quajtur krim mizor e brutal, sulmin në Deçan. Ai për KosovaPress deklaroi se është siguruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla që do të punohet në zbardhjen e rastit ku u vranë tre persona gjatë të sulmit të një autobusi në Gllogjan.

“Mora lajmin tronditës për këtë krim brutal e mizor që i la tre qytetarë të vdekur. Kam kërkuar nga organet e rendit që të bëjnë maksimumin dhe sa më shpejt dorasin ta sjellin para drejtësisë. Aq e trishtueshme, tronditëse, pikëlluese, është tragjedia e sotme në Deçan sa disi më ka lënë pa fjalë, por nuk guxon të na lë pa vepra. Dhe Policia e Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla më kanë siguruar që po bëjnë gjithçka që është në kapacitetet e tyre në mënyrë që edhe të zbardhet rasti sa më parë edhe të mundësohet pa vonesa drejtësia”, ka deklaruar Kurti për KosovaPress.

Në vend të ngjarjes, e tek familjarët shkoi menjëherë kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, për çka tha se ishte i tronditur nga sulmi.

“Ka qenë rasti më makabër dhe tragjik që kemi përjetuar në këto vitet e fundit , dhe është një rast i papranueshëm që ne dënojmë dhe ftojmë organet e rendit që me zbardh në tërësi këtë që ka ndodhur sepse një autobus që transporton nxënës dhe me gjuaj në një vend dhe dy fëmijë të Gllogjanit një vajzë dhe djalë kanë gjet vdekjen e ku familjet i presin të kthehen nga shkolla e tani me pas një zi në këtë fshat. Shpresoj që këto raste të mos përsëriten kurrë e askund të botë[..] uroj të mos jetë ndonjë sulm terrorist dhe uroj që këto raste të mos përsëriten kurrë. Është situatë e paqartë edhe për organet e rendit deri ta bëjnë ekspertizën e duhur për të zbardhur rastin”, tha Ramosaj.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ai i mbrojtjes, Armend Mehaj, ministrja e Arsimit, Arbërie Ngavci, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha shkuan në Pejë për ta vizituar të plagosurin, i cili veçse ishte operuar.

“Lajme të tilla lëndojnë çdo zemër njerëzore. Jam thellësisht i shqetësuar dhe i tronditur prej aktit kriminal që ka ndodhur sonte në Gllogjan të Deçanit. Bashkëndjejmë me familjarët që kanë humbur të dashurit e tyre dhe lutemi për shërimin e të plagosurve. Menjëherë e kam ndërprerë vizitën dhe aktivitetet e parapara në Shqipëri dhe jam rrugës për në Deçan. Ndërkohë, kam qenë dhe jam në telefon me drejtuesit e forcave të rendit, për pasojë nuk kam mundur t’i drejtohem më herët opinionit publik. Kam kërkuar nga Policia e Kosovës angazhim dhe mobilizim maksimal, me të gjitha njësitë dhe formacionet e nevojshme, në mënyrë që autori i këtij akti makabër të arrestohet sa më parë”, shkroi Sveçla në ‘facebook’.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se lajmi i kobshëm i vrasjes thërret ndërgjegjjen e të gjithëve për tu bashkuar në front të përbashkët e për të parandaluar e vepruar efektshëm ndaj kriminelëve.

“I tronditur thellë nga lajmi për krimin e tmerrshëm, të sontëm në Deçan.Në këto momente shumë të rënda, fizikisht dhe shpirtërisht, jemi pranë familjeve që humbën më të dashurit e tyre. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe ndaj dhimbjen me ta. Ky lajm i kobshëm na thërret ndërgjegjien e të gjithëve për t’u bashkuar në front të përbashkët, institucione të sigurisë me qytetarë, për të parandaluar e vepruar efektshëm ndaj kriminelëve që marrin jetëra të pafajshme”, shkroi Mehaj.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci është shprehur të jetë e tronditur nga tragjedia.

“Sot është një natë e rëndë, një trishtim e dhimbje e madhe për të gjithë qytetarë e Kosovës dhe jo vetëm. Rasti kriminal na ka tronditur të gjithëve, dy nga viktimave kanë qenë nxënës, njëra maturante në shkollë të mjekësisë dhe tjetri në maturant në shkollën e ekonomisë ën Gjakovë kanë qenë në autobus në linjën e fundit duke u kthyer në shtëpitë e tyre. I plagosuri tjetër është në gjendje të mirë shëndetësore. Dhe organet e rendit janë duke bërë përpjekjet maksimale dhe janë duke u angazhuar që kriminelin ta zënë sa më parë dhe ta vendosin para drejtësisë, urojmë që të jetë rasti i fundit i tillë[…] do të angazhohemi si qeveri dhe institucionet e republikës që sa më parë krimineli të vihet para drejtësisë dhe të mos kemi raste të tilla”, tha Nagavci në konferencë për medie pas vizitës së të plagosurit.

Edhe zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha është tronditur nga kjo tragjedi. Ajo ishte për vizitë tek i plagosuri nga ku deklaroi se janë në mbështetjt të pacientit dhe spitalit të Pejës ku po trajtohej nxënësi i lënduar.

“E tronditur nga ky akt kriminal nga i cili u shuan tri jetë të qytetarëve të Kosovës. Presim nga organet e rendit që sa më parë të zbulojnë autorët e vrasjes të këtij akti makabër dhe të sillen para drejtësisë. U siguruam nga drejtori dhe stafi shëndetësor që pacienti është duke marrë trajtimin e duhur[…]kemi ardh të shprehim mbështetjen nga Ministria e Shëndetësisë për pacientët dhe spitalin e Pejës”, tha Gexha.

E kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj tregoi se janë intervistuar disa individë në cilësinë e dëshmitarit, për çka ka theksuar se deri më tani nuk ka të dyshuar.

“Aktualisht nuk mund të prononcohemi dhe të definojmë saktë për çka bëhet fjalë. Ne po punojmë për me i identifiku çdo detaj që e konsiderojmë si relevant që lidhet me rastin. Kjo është faza fillestare e hetimit dhe nuk mund të prononcohemi më shumë se na lejon vet etika e ajo profesionale. Personat që po intervistohen janë si dëshmitar dhe jo të dyshuar. Për momentin nuk kemi të dyshuar”, tha Isufaj në konferencën e përbashkët me drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmetin.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se organet e rendit duhet të veprojnë shpejtë për të kapur autorin e krimit.

“I trishtuar e tronditur me aktin makabër sonte në Deçan. Është më shumë se krim!Në këto momente të rënda, jemi me familjarët e viktimave dhe të lënduarve në Deçan. Ndajmë dhimbjen dhe lutjet me ta.Organet e rendit dhe drejtësisë të veprojnë shpejtë e në kapacitet të plotë. Të sjellin para ligjit e drejtësisë autorin e këtij krimi monstruoz, që sulmon një autobus të mbushur me nxënës e fëmijë”, shkroi Abdixhiku.

Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi këroi që sa më shpejtë të zbardhet rasti i tmerrshëm.

“I tronditur thellë me sulmin makabër në Deçan!Në këto orë të rënda për familjarët e viktimave, i bashkohemi dhimbjes së tyre, ndërsa të lënduarve ju dëshirojmë shërim të shpejtë. Organet përgjegjëse të sigurisë duhet sa më parë të zbardhin rastin dhe autorin e kësaj vepre të tmerrshme të sjellin para drejtësisë”, ka shkruar Krasniqi.

Thirrje organeve të rendit që sa më parë ta zbardhin rastin bëri edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“I trishtuar nga sulmi kriminal që ndodhi në Gllogjan, ku humbën jetën tre persona, prej të cilëve dy nxënës. Bashkëndjejmë me familjarët e të vrarëve, duke u lutur për durim dhe forcë, në këto momente të rënda për të gjithë ne.Falënderoj kryetarin Bashkim Ramosaj, Policinë, Prokurorinë dhe ekipet mjekësore emergjente për punën e tyre. Apeloj që organet e rendit sa më parë, të zbulojnë e të kapin autorin e këtij veprimi të ulët kriminal dhe i njëjti të sjellet para drejtësisë”, ka shkruar Haradinaj.

Reagimet e menjhershme ishin edhe nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se jetët e marra në Kosovë nga plumbat e një egërsie që meriton ndëshkimin ekstrem të drejtësisë, kanë brengosur të gjithë.

“Jetët e marra në Kosovë nga plumbat e një egërsie që meriton ndëshkimin ekstrem të drejtësisë, na kanë brengosur të gjithëve. Ngushëllime vëllazërore familjeve të goditura në zemër nga humbja absurde. Kurajo e mbështetje institucioneve të Kosovës në këtë moment sfidues”, shkroi në twitter Rama.

Edhe presidenti shqiptar, Ilir Meta reagoi për vrasjen.

“Thellësisht i tronditur nga akti kriminal në Gllogjan të Deçanit, ku sipas të dhënave paraprake raportohet për tre humbje jete dhe një të plagosur.Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin e plotë familjeve të të vrarëve dhe të gjithë popullit të Kosovës, duke bashkëndarë me ta dhembjen e madhe për këtë ngjarje shumë të rëndë.Të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë dhe përgëzoj ekipet mjekësore për përkushtimin dhe profesionalizmin, që po dëshmojnë!Kam besimin e plotë se institucionet përgjegjëse dhe drejtësia në Republikën e Kosovës do të zbulojnë sa më parët autorët, që meritojnë ndëshkimin më të ashpër ligjor”, ka shkruar Meta.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha u shpreh i sigurt se autoritetet kosovare do të bëjnë gjithçka për ta vënë autorër e krimit para drejtësisë.

“Dhimbje dhe trishtim për ngjarjen e sotme në Deçan. Ngushëllimet më të ndjera familjeve të viktimave. Shërim të shpejtë nxënësit që po merr ndihmën mjekësore. Jam i sigurt se autoritetet do bëjnë gjithcka për zbardhjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij krimi makabër”, ka shkruar Basha.

Zëvendëskryeministrit i parë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi ka reaguar për tragjedinë në Gllogjan te Deçanit ku deri tani janë konfirmuar tre të vrarë, mesin e tyre dy nxenës.

“Gllogjan Plagë pas plage, edhe një lajm shumë shqetësues, këtë rradhë nga Deçani i Kosovës. Zot, fal mirësi dhe paqë në zemrat e njerëzve! Ngushëllime familjeve të viktimave, dhimbje për të gjithë ne, shërim për të lënduarit ”, ka shkruar Grubi

Edhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti reagoi për tragjedinë në Kosovë.

“Plaga e pashëruar rëndohet edhe më shumë nga skenat shokuese nga Gllogjani i Deçanit të Kosovës time. Jeta e njeriut është e shenjtë, Zoti e fal, Zoti e merr, jo njeriu. E dënoj në formën më të rreptë të mundur sulmin ç’njerëzor në Gllogjan që la viktima dhe të plagosur.I tronditur thellë, bashkëndjej me familjet e viktimave dhe me çdo qytetarë të Kosovës e të gjithë shqiptarët kudo që jemi në këtë botë të trazuar”, ka shkruar Ahmeti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *