Hoxhaj: Keqmenaxhimi i Qeverisë me arsimin në pandemi, po ia humbë Kosovës një gjeneratë, kjo është fatale

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha sot gjatë debatit parlamentar për menaxhimin e keq të sistemit arsimor gjatë pandemisë se me këtë qeverisje të dobët Kosova jo vetëm që ka mbetur vendi i vetëm në botë pa vaksina të blera e me humje të jetëve, por po e humbë edhe një gjeneratë të tërë në arsim, që sipas tij është po aq fatale për një shoqëri.

“Në 30 vitet e fundit, tre herë radhazi na është përsëritur kjo. Në fillim të viteve të 90-ta, derisa kur kaluam dhunshëm në sistem paralel, në periudhën e luftës për shak të luftës më 1998-1999, dhe tash në kohë të pandemisë, 2020-2021. Imagjinoni një qytetar që fillimisht ka humbur hapin në shkollë fillore, pastaj në të mesmen, ndërsa tash, po e humbin hapin edhe fëmijët e tij. Kjo është një rrethanë tragjike për familje dhe një popull, të cilën kjo qeveri nuk po e kupton dhe as që do ta kuptojë. Këtë më së miri e dëshmon mungesa e kryeministrit në seancë sot. Edhe atë ditë kur folëm për humbjen e jetës së qytetarëve në mungesë vaksinash, edhe sot kur po flasim për humbjen e gjeneratave në arsim, kryministri mungon”, tha Hoxhaj.

Ai ka shpjeguar se humbja e aftësive të një gjenerate sipas analizave të institucioneve ndërkombëtare nënkupton humbjen e njohurive dhe shkathtësive për arsimim, humbjen e kapitalit njerëzor dhe humbjen e perspektivës ekonomike në të ardhmen.

“Më 12 mars të vitit 2020, me vendim të qeverisë u ndërpre mësimi për 450 mijë nxënës e studentë. Ishte mbyllje pa plan. Improvizim ad-hoc. Dhe natyrisht se kur nuk ke plan, nuk ke as kontroll mbi situatën, aq më pak, kontroll mbi ecurinë, e më së paku kontroll mbi cilësinë. Në vitin e ri shkollor 2020/21 që filloi me vonesë, i vetmi organizim që ishte bërë, ishin maskat mbrojtëse, matja e temperaturës, dezinfektimi i duarve si dhe distanca fizike. Por ajo çfarë nuk ishte parashikuar, ishte dështimi në organizimin e procesit mësimor sipas tre skenarëve: Mësimit në shkollë; Mësimit të kombinuar dhe Mësimit në distancë. Na thuhej se implementimi i këtyre skenarëve do bëhej varësisht nga situata dhe kushtet specifike të institucioneve arsimore. Deri tash, kurrë nuk kemi mësuar se sa shkolla kanë funksionuar sipas skenarit A dhe B ose edhe C? Sepse secili prej këtyre skenarëve flet shumë për atë se në çfarë gjendje jemi aktualisht në arsim”, tha Hoxhaj.

Sipas kreut të partisë më të madhe opozitare në vend, deri tani është parë qartë se qeveria Kurti nuk ka mendim politik, as mendim strukturor, as mendim substancial për të menaxhuar arsimin në pandemi, pasi asgjë nuk thuhet përë këtë në programin e qeverisë.

Ai ka pyetur Qeverinë se pas dështimeve në menaxhimin e deritashëm të arsimit në kohë pandemie, cili është plani për të ardhmen afatmesme pasi pandemia ende nuk ka kaluar.

Ka kaluar më shumë se një vit që nga fillimi i pandemisë dhe fillimi i mësimit në distancë, por Kosova ende nuk e ka një platformë te standardizuar për të. A do ta ketë një të tillë, si dhe kur?

Në shumë vende të botës, organizimi i procesit mësimor në kushte pandemie është unifikuar. Në Kosovë vazhdon të jetë qasje e shpërndarë në nivel vendi, ku komunat dhe shkollat, përkatësisht mësimdhënësit shfrytëzojnë platforma dhe qasje të ndryshme të mësimdhënies. A keni diskutuar me me komunat, prindërit dhe ekspertët? Cilat janë pëgaditjet për vitin e ardhshëm shkollor?

Si do të menaxhohet testi i arritshmërisë dhe maturës shtetërore në këto rrethana? Cili është plani? Të gjitha këto që i ngrita, flasin për atë që të kemi një plan të qartë dhe një politikë të re arsimore në pandemic. Me këtë ritëm të sjelles së vaksinave, do të kemi një trend afrikan të hapjes, tek në vitin 2024”, tha Hoxhaj.

Ai tha se qe 1 vit Qeveria është dashur t’i ketë tashmë të gjitha alternativat e organizimit mësimor në kushte pandemie por deri tasni nuk kanë bërë asgjë.

“Nuk mund t’i kërkosh një prindi në Dragash e Istog që ta bartë vetë barrën e mësimit për fëmijët e tij, pa ia ofruar një mbështetje. Nuk mund t’i kërkosh një mësimdhënësi që të përshtatë njohuritë e tij me nevojat e mësimit online, pa ia ofruar një shembull, një model që ai e kupton dhe në të cilin mund të bazohet. Mos harroni, për ata që dinë, krizat nuk janë vetëm kriza, por edhe mundësi. Por, për qeverinë Kurti, paaftësia është kriza që pamundëson zgjidhjen e çdo krize tjetër. Sot, për shkak të paaftësisë dhe papërgjegjësisë së kësaj qeverie, po humbin edhe një vit i dytë, e nga shtator edhe të tretin. Dhe dy vite të humbura, e humbin një gjeneratë. Kjo është e pafalshme. Komunat janë lënë vetëm. Shkollat janë lënë vetëm. Mësimdhënësit janë lënë vetëm. Siç jemi vendi i fundit në botë dhe rajon për sigurimin e vaksinave, ngjashëm po vazhdojmë të jemi vendi i fundit në rajon për mbarëvajtjen e arsimit në kohë pandemie”, deklaroi Hoxhaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *