Izraeli ia shet për 520 milionë dollarë sistemin e mbrojtjes ajrore “Spyder” shtetit evropian - Realiteti

Izraeli ia shet për 520 milionë dollarë sistemin e mbrojtjes ajrore “Spyder” shtetit evropian

Izraeli është pajtuar që t’i shesë Republikës Çeke sisteme për mbrojtje ajrore “Spyder” përmes një marrëveshjeje me vlerë 520 milionë dollarë, njoftoi të martën Ministria e Mbrojtjes e Izraelit.

Marrëveshja është nënshkruar për katër bateri të sistemit “Spyder”, i cili mbështetet në raketa ajër-ajër dhe është i zhvilluar për t’i penguar kërcënimet nga ajri, përfshirë aeroplanët, helikopterët dhe dronët. Këto sisteme do të prodhohen nga kompania izraelite, “Rafael”.

“Kjo është hera e parë që Izraeli do t’i ofrojë një shteti të NATO-s një sistem të plotë të mbrojtjes ajrore”, tha drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes në Izrael, Amir Eshel.

Lubomir Metnar, ministër i Mbrojtjes në Çeki, tha se marrëveshja do t’i fusë forcat e armatosura të vendit të tij në shekullin XXI në fushën e mbrojtjes ajrore, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Ministria tha se në zbatimin e marrëveshjes mes dy vendeve do të përfshihet edhe industria e mbrojtjes në Çeki.

Ndryshe, javën e kaluar u njoftua se Franca pritet që t’ia shesë 52 topa të tipit “Caesar” Republikës Çeke në marrëveshjen që e kap vlerën e 257 milionë eurove, në kohën kur Parisi po bën përpjekje për autonomi më të madhe të Evropës në fushën e mbrojtjes, tha javën e kaluar një zyrtar i Ministrisë së Forcave të Armatosura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *