Kishte në plan të shiste katër mina për 10 mijë euro, arrestohet 50 vjeçari në Durrës

Policia e Durrësit godet një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së minave me telekomandë, duke parandaluar ngjarje të mundshme kriminale.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Furnitori”, i zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës.

Sekuestrohen 4 mina me telekomandë, të cilat do shiteshin kundrejt çmimit 10.000 euro.

Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në koordinim me strukturat hetimore të DVP Durrës, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas me tendencë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së minave me telekomandë po tentonte të shiste mina me telekomandë, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Furnitori”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi Arben Elezi, 50 vjeç, banues në fshatin Larushk, Fushë Krujë.

Shërbimet e Policisë e kanë ndaluar shtetasin Arben Elezi, në Shkafanë, Ishëm, Durrës, dhe gjatë kontrollit fizik i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 mina me telekomandë të lidhura me aparat celular, të cilat ky shtetas do t’i shiste kundrejt shumës 10.000 euro.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme./T Ch/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com