Konstruktohet helikopteri që do të kryejë eksplorime në Mars

Inxhinierët planifikojnë që fluturimi i parë në Mars të jetë i thjeshtë. Helikopteri do të ngrihet rreth 3 metra nga toka, do të rrijë pezull dhe do të kthehet për 30 sekonda, para se të bjerë përsëri

Agjencia hapësinore amerikane ka bërë të ditur se pret që ta nisë helikopterin e parë në planetin Mars në fillim të prillit. Helikopteri i vogël ishte bartur në Planetin e Kuq nga anija kozmike “Perseverance”, që e bëri zbarkimin dramatik në Jezero Crater para një muaji.

I quajtur “Ingenuity”, helikopteri 1.8- kilogramësh do të provojë të bëjë disa rrotullime në ajrin e rrallë të Marsit. Nëse ka sukses, do të jetë pak a shumë një lloj “çasti i vëllezërve Wright”, ka bërë të ditur NASA.

Kjo sigurisht se është referencë për Orville dhe Wilbur Wright, të cilët më 1903 realizuan fluturimin e parë historik në botë. Për ta shënuar lidhjen, agjencia ka zbuluar se një copë me madhësi të pullës postare nga një krah i aeroplanit të vëllezërve është ngjitur në helikopterin Ingenuity.

Tani për tani, helikopteri ende është i ngjitur për anijen Perseverance, në pjesën e poshtme të saj. Një mbulesë mbrojtëse është lëshuar gjatë fundjavës dhe në ditët në vijim anija do të ulet në tokë.

Inxhinierët e kanë identifikuar një zonë 10 me 10 metra në Jezero, të cilën po e cilësojnë si “të rrallë” me ajër. “Perseverance” do të mundohet të kapë çdo gjë me anë të kamerës. “Do të bëjmë çmos për ta fotografuar Ingenuity-n gjatë fluturimit”, ka thënë inxhinierja e NASA-s, Farah Alibay. “Do të bëjmë fotografi, por shpresojmë edhe të xhirojmë”. Kjo do të jetë sfiduese, ka thënë ajo.

Sfidat e misionit

Edhe anija kozmike dhe helikopteri funksionojnë në mënyrë autonome dhe bartin orë të ndara. Pajisjet kohore duhet të jenë të sinkronizuara në mënyrë që të kapet veprimi me anë të fotografisë.

Helikopteri Ingenuity është ndërtuar për të qenë jashtëzakonisht i lehtë. Duhet të jetë i tillë në mënyrë që të ngrihet në atmosferën e hollë të Marsit.

Ai përmban katër krahë të bërë posaçërisht me fibra karboni, të rregulluar në dy rrotullues të gjatë 1 metër që rrotullohen në drejtime të kundërta me rreth 2 mijë e 400 rrotullime në minutë.

Inxhinierët planifikojnë që fluturimi i parë të jetë i thjeshtë. Helikopteri do të ngrihet rreth 3 metra nga toka, do të rrijë pezull dhe do të kthehet për 30 sekonda, para se të bjerë përsëri.

Nëse çdo gjë shkon mirë, fluturimet në vazhdim do të jenë edhe më të ndërlikuara. “Tani për tani, plani është që për tri fluturimet e para ta demonstrojmë aftësinë bazike – të rrijë pezull dhe më pas të përshkojë, duke shkuar në një distancë më të madhe nga zona e fluturimit dhe të kthehet përsëri”, ka thënë piloti i helikopterit Ingenuity, Havard Grip. “Nëse çdo gjë shkon tepër mirë, do të na duhet t’i zgjerojmë kapacitetet tona. Por këtë nuk e kemi planifikuar në hollësi”. I pyetur nëse ekipi mund të provojë diçka dramatike për fluturimin e fundit, ai nuk deshi të spekulonte.

Mundësitë e reja ajrore

Lori Glaze, që i drejton punët e shkencës planetare të NASA-s, ka thënë se Ingenuity mund të hapë mundësi të reja për eksplorimet ajrore të së ardhmes.

“A mund t’i imagjinojmë zonat e papara nga hapësira apo se një anije kozmike nuk mund t’i arrijë? A mundet që një helikopter të marrë informata për anijet dhe të ndihmojë për ta kryer punën më efikase për shkencën? A mund t’i mbështesim misionet e ardhshme të njerëzve me kapacitete ajrore?”, është shprehur ajo. “Këto pyetje janë për ndonjë ditë tjetër, por demotë teknologjike na japin mundësinë për të qenë kreativë dhe për të testuar gjëra të reja”.

NASA e ka aprovuar një mision të quajtur “Dragonfly” që do të përdorë një helikopter robotik për të fluturuar përreth hapësirës së hënës së Saturnit, Titanit, më 2030.

Sovjetikët kanë qenë të parët që kanë dërguar anije kozmike në botën tjetër me balonat e tyre Vega në atmosferën e Venerës më 1980.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *