Lutfi Haziri dorëzon mandatin duke lënë një kontratë të kundërligjshme për njeriun e afërt me LDK-në

2. LAJME

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri po e dorëzon mandatin duke lënë prapa një kontratë të kundërligjshme e cila u nënshkrua para pak ditësh nga zyra e prokurimit të Komunës së Gjilanit me një biznes, pronarët e të cilit janë të afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës – LDK.

Komuna e Gjilanit ka shkelur Ligjin e Prokurimit Publik për të shpërblyer me kontratë në vlerë 168 496,30 euro kompaninë, “Ceni Group” SH.P.K, pronarët e të cilës janë të afërt me LDK-në, shkruan lajmi.net.

Prokurimi komunal, nuk ka zbatuar procedurën e hapur të prokurimit për tenderin “Rregullimi i dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në QKMF -Objekti i ri”. Për realizmin e projektit është përdorur “Procedurë e negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës”. Kësisoj, prokurimi komunal nuk ka lejuar konkurrencë, por ka proceduar me negocim me kompaninë “Ceni Group”.

QKMF-ja ka nisur së ndërtuari në vitin 2016 dhe nuk është lëshuar asnjëherë në përdorim. Sipas zyrtarëve komunal, reshjet e fundit të para disa muajve në Gjilan kanë shkaktuar dëme rreth 168 mijë euro.

Duke parë që Ligji i Prokurimit Publik, konkretisht neni 34, nuk lejon që në këtë rast të procedohet me negocim, por me procedurë të hapur, lajmi.net ka kërkuar një interpretim ligjor nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik lidhur më këtë tender. Ky institucion i ka lejuar qasje lajmi.net në opinionin e lëshuar.

KRPP ka konfirmuar që i ka lëshuar një opinion zyrës së prokurimit të Komunës së Gjilanit nga e cila ka kërkuar që të komuna të shqyrtojë vendimin e vetë dhe këtë tender ta realizojë me procedurë të hapur duke lejuar konkurrencë.

“Mbështetur në nenin 87.2.3, të LPP-së dhe bazuar në të dhënat e shkresës suaj për aktivitetin e prokurimit me titull “Rregullimi i dëmeve të shkaktuara në QKMF- Objekti i Ri”, Opinioni i KRPP-së është se nuk janë plotësuar kërkesat e nenit 35.2.1.iii të LPP-së për përdorimin e Procedurës se Negociuar pa Publikim të Njoftimit për Kontratë (PNPNJK). Bazuar në të dhënat e shkresës tuaj vlerësojmë se nuk ka asnjë rrethanë apo lidhshmëri të justifikuar që ky aktiviteti i prokurimit të zhvillohet sipas procedurës pa publikim të njoftimit paraprak. Në pajtim me nenin 87.2.3, të këtij Ligjit opinioni i KRPP-së është që autoritetin kontraktues të rishqyrtoi edhe njëherë vendimin për përdorim të kësaj procedure dhe te vlerësoj të gjitha rrethanat dhe faktorët që këtë aktivitet të zhvilloi me procedurë të hapur”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së të cilën ia ka adresuar Komunës së Gjilanit.

Opinionit të KRPP-së, komuna i është përgjigjur me nënshkrim të kontratës.

QKMF-ja nisi së ndërtuari në vitin 2018, tenderi në hetuesi

Komuna e Gjilanit kishte nënshkruar kontratë me një kompani në vitin 2018 për ndërtimin e QKMF-së. Shumica e fondeve kanë qenë të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë. Më pas kompania ishte tërhequr nga kontrata, dhe komuna e Gjilanit bën ndërprerjen e kontratës mirëpo nuk ka marrë asnjë masë ndëshkuese për operatorin ekonomik me të cilin është ndërprerë kontrata. Në korrik të vitit 2020, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj kishte njoftuar se MSH-ja ka iniciuar hetim nga Prokuroria për projektin. “Në shtator të vitit 2019, Ministria e Shëndetësisë inicion kërkesë për hetime nga organet kompetente pasi gjatë zbatimit të projektit ka pasur parregullsi të evidentuara në mënyrë specifike për marrëveshjen e operatorit ekonomik që në mënyrë miqësore të shkëputet kontrata pa u marrë asnjë masë ligjore për mos zbatim të kontratës”, kishte deklaruar Zemaj.

Më pas komuna e Gjilanit si autoritet kontraktues ka zhvilluar procesin e dytë të hapur të prokurimit dhe në nëntor të vitit 2019 është ndëshkuar kontrata me kompanitë “CENI GROUP SH.P.K.; EL-BAU SH.P.K.; EING COM SH.P.K.; SINANI ING SH.P.K.”. Vlera e kontratës ka qenë 1.424.872,83 euro.

Por, as me këtë kontratë nuk kishin përfunduar punimet. Lajmi.net ka gjetur se, AK -Komuna e Gjilanit me datë 12.02. 2021 ka nënshkruar një tjetër kontratë me “Ceni Company”, për punët shtesë, me procedurë të negociuar. Vlera e kontratës ka qenë 142 mijë euro.

Pasi ishin kryer punimet në verë të këtij viti, komuna po priste të hapte QKMF-në. Por, reshjet e shiut, sipas Komunës më pas dëmtuan dukshëm dyshemenë dhe çatinë e objektit dhe javën kaluar dhe prokurimi komunal nënshkroi tjetër kontratë për riparim me kompaninë Ceni Company”, e cila nuk u bë në përputhje me LPP-në.

Lajmi.net ka kërkuar një sqarim nga Komuna e Gjilanit lidhur më atë se në cilin muaj u dëmtua objekti dhe se cila është ligjshmëria që kontrata është negociuar përsëri, meqë kontrata bazë ishte përmbyllur. Por, Komuna nuk ka kthyer përgjigje.

Pronarët e kompanisë të afërt me njerëzit në komunë dhe LDK

Kompania është në pronësi të Hysen Hyseni, si dhe menaxhohet nga dy djemtë e tij.

Dy djemtë e pronarit, njëri prej të cilëve është edhe drejtor në kompani ekspozohen shumë shpesh me nënkryetarin Komunës së Gjilanit, Arber Ismaili.

Madje ata e përkrahin haptazi LDK-në.

Vajza e pronarit të kompanisë, Jehona Hyseni, ka qenë për disa vite asambliste në KK të Gjilanit nga radhët e LDK-së.

Kryetari Haziri ishte parë në mbrëmje muzikore, bashkë me pronarët e kësaj kompanie në kohën kur kishte shpërthyer pandemia në Gjilan dhe për të cilën patën raportuar mediat.

Komuna shkel ligjin për herë të dytë për të njëjtën kompani

Në bashkëfinancim me Komisionin Evropian, Komuna para dy viteve ka nisur ndërtimin e tregut të gjelbër. Në një garë të hapur, tenderin e kishte fituar më 5 shkurt 2019, grupi i kompanive “Ceni Group” shpk & “El Bau” shpk, në një vlerë të kontratës prej 871. 173, 42 euro.

Para pak javëve, Zyra e Prokurimit të Komunës së Gjilanit ka shpallur fitues përsëri kompaninë “Ceni Group” për të njëjtin projekt.

Procedurë tenderuese që ka zbatuar prokurimi komunal ka qenë e ‘negociuar pa publikim të kontratës’ dhe emri i projektit është i njëjti si para dy viteve: “Ndërtimi i tregut të Gjelbër në Komunën e Gjilanit”. Fitues po ashtu është shpallur kompania “Ceni Group” shpk, me çmim prej 509. 177, 24 eurove.

Lajmi.net kishte raportuar se komuna në këtë rast e ka shkelur ligjin e prokurimit kur ka proceduar për këtë projekt.

Këtë e kishte konfirmuar edhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik –KRPP.

Fillimisht, komuna kishte kërkuar një interpretim ligjor nga KRPP për të vazhduar me ‘procedurë të negociuar’ për këtë projekt, dhe ky institucion kishte konstatuar se nuk kishte arsyshmëri të mjaftueshme që të procedohet me negocim, por të procedohet me ofertë të hapur.

Nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, lajmi.net i ishte ofruar qasje në opinion e lëshuar nga ky institucion për komunën e Gjilanit për këtë tender.

“Lidhur me përdorimin e procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë për aktivitetin prokurimit me Titull “Ndërtimi i Tregut të Gjelbër në Komunën e Gjilanit.” Me nr. të prokurimit: 651-21-929-515” i iniciuar nga Autoriteti Kontraktues – Komuna e Gjilanit, Opinion i Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik është se lidhur me përdorimin e Procedurës se Negociuar pa Publikim e Njoftimit për Kontratë për këtë aktivitet të prokurimit nuk janë plotësuar dispozitat e nenit 35 të LPP-së”, thuhet në hyrje të opinionit të KRPP-së.

“Sipas arsyetimit të dhënë ndër të tjera keni thënë se në pamundësi të zhvillimit të punimeve për të ekzekutuar pasi që ka mungesë të pozicioneve në përmasën e ofertuar kërkohet nga njësia kërkuese dhe zyra e prokurimit të bëhet inicimi i procedurës me negocim për pozicionet që janë mungesë sipas projektit bazë, po ashtu e njëjta kompani e cila është kontraktuar për punët e deri tashme do të përfundoj punimet edhe mbas implementimit të fazës së (ll) pozicionet të cilat i ka të kontraktuar, por që nuk kanë mundësi të ekzekutohen pa u përfunduar pozicionet të cilat duhet të kontraktohen në fazën e II. Sipas kësaj konstatojmë se Vendimi është marrë bazuar në Neni 35.2.3(ii) të drejte ekskluzive për të ofruar shërbime të tilla, nëse për arsye objektive dhe të detyrueshme teknike ose artistike, kontrata duhet ti ipet një operatori-të caktuar ekonomik, KRPP, në ketë aspekt nuk ka vërejtur në “shpjegimin” tuaj se cila është kjo e “drejt ekskluzive”.

“KRPP vlerëson se Arsyetimi i dhënë është bazuar kryesisht në atë se kompani e kontraktuar për kontratën bazë e ka njëfarë të drejte ekskluzive për realizimin e këtyre punimeve. Për KRPP-në kjo është e pa pranueshme dhe e pa arsyeshme sepse sipas shpjegimit tuaj pavarësisht kësaj kjo nuk i jep asnjë të drejte ekskluzive sipas neni 35 te LPP- së”, ka thënë KRPP në opinion e vetë, ku i ka bërë Komunës edhe disa rekomandime.

“Sipas kësaj me lartë KRPP rekomandon zyrën e prokurimit ( ZKA) që ta rishqyrtoj edhe një herë vendimin lidhur me përdorimin e procedure së negociuar pa publikim te njoftimit për kontrate për aktivitetin e cekur më lartë”.

Po ashtu KRPP e ka rekomanduar Autoritetin Kontraktues të marre masa që të organizoi vende-punishten me qëllim që ketë aktivitet të prokurimit ta zhvilloi me procedurë të hapur e cila do të rriste transparencën, konkurrencën e lirë dhe trajtimin e barabartë. Këtë KRPP e ka arsyetuar duke e cituar LLP-në.

“Kjo sepse Neni 7 paragrafi 3 i LPP-se nder të tjera thotë se; autoritetit kontraktues i ndalohet që të zgjedh një procedurë të prokurimit ose duke vendosur një kërkesë ose kriter të përzgjedhjes ose specifikacion teknik që në ndonjë mënyrë ka për qëllim të favorizojë ose diskriminojë kundër njërit ose më shumë operatorëve ekonomik. Nga kjo nënkuptojmë se Autoritetin Kontraktues nuk duhet të zgjedh procedurën e prokurimit e cila do të favorizoi apo diskriminoj operatorët ekonomik”, përfundon rekomandimi i KRPP-së.

Komuna nuk e ka përfillur as këtë rekomandim. /Mentor Buzhala -Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *