“Po valla m’shkarkun”, Xhevdet Smakiqi paralajmëron padi ndaj Bordit të Postës

Sot gjatë ditës është shkarkuar Xhevdet Smakiqi nga posti i kryeshefit ekzekutiv të Postës së Kosovës.

Smakiqi ka thënë se ky shkarkim ka ndodhur pa arsyeje dhe sipas tij, do të ketë pasoja të mëdha financiare.

Tutje, ai paralajmëroi një padi ndaj Bordit të PTK-së, për shkak të këtij shkarkimi.

“Po valla, në mbledhjen e parë. Ata s’kanë mujt me vlerësu përformancën time se as fytyrën s’ma kanë parë hala. Nuk e di për çfarë arsyeje, ata duhet me shkrujt diçka. Me padi të gjyqësorit do të vërtetohet se kontrata ime ka qenë e ligjshme. Pasojat financiare rreth 100 mijë euro do t’i bartë Posta e Kosovës. Do të përgatiti një padi. Padrejtësitë i luftojë edhe për tjerët edhe për veti”, tha ai.

Gjithashtu, Smakiqi tha se nuk ka lidhje me asnjë parti politike, ndonëse ai ka qenë kandidat për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate.

“Unë s’kam lidhje me asnjë parti politike, u mbyta tu i kallxu krejtve, nashta partitë politike kanë lidhje me mu, unë me to jo. Deri në ora 16:00 kemi diskutuar, unë ua kam tregu pasojat, por ata kanë vendosur çka kanë vendosur”, u shpreh ndër të tjera Smakiqi në një prononcim për Reporteri.net.

Smakiqi ishte përzgjedhur në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Postës së Kosovës më 5 mars të këtij viti nga Qeveria Hoti.

Ndryshe, Xhevdet Smakiqi mori besimin e këtij bordi në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, pasi ai ishte kandidat për deputet për Nismën Socialdemokrate, shkruan Reporteri.net.

Sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike thuhet se të gjithë drejtorët përveç KE duhet të jenë të pavarur. Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse: k) është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike.

Xhevdet Smakiqi ishte zgjedhur kryeshef ekzekutiv i Postës së Kosovës, më 5 mars nga Bordi i Përkohshëm i kësaj kompanie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *