Pse dokumentarët mbi natyrën rrëfejnë gjysmë gënjeshtra

Nga Dario Ronzoni

Ndoshta kjo do të mbahet mend si “epoka e artë” e dokumentarëve mbi natyrën. Prodhime të tilla si “Planet Earth II” dhe “Blue Planet II”, janë parë nga më shumë se 1 miliardë shikues në 3 vitet e fundit. Në vitin 2022,Natural History Unit e BBC do të shfaqë serinë tjetër“Planet Earth III”.

Ndërkohë është transmetuar dokumentari “A Perfect Planet”(Një planet i përsosur) i prodhuar nga kompania “Silverback Films”, e formuar nga të ikurit nga Natural History Unit, dhe gjendet në platformën Netflix.

Aty spikat zëri dhe figura e Dejvid Atenborout, një dekan i këtij zhanri dhe një udhëzues i palodhur (sot është 95 vjeç), me shpjegimet e tij në peisazhet më fantastike të natyrës.

Por në një artikull të botuar në “The Atlantic”, Ema Marris thotë se problemi janë pikërisht imazhet e mrekullueshme të dokumentarëve.

Madje, një problem shumë i madh. Ky format – histori të thjeshta mbi kafshët, të ndërthurura me pamje që të lënë pa frymë – funksionon, jo vetëm sepse ofron një arratisje të përkohshme nga kufizimet e pandemisë (edhe në vitin 2019 suksesi i tyre u shpjegua po kështu, vetëm se atëherë problemet ishin Donald Trump dhe Brexit), por edhe sepse të lejon të hysh në një botë të bukur dhe të pa ndotur.

Por, siç shpjegon Marriskjo është e rreme. Ajo që mund të vini re është pikërisht mungesa e qenieve njerëzore, sepse nuk shfaqet kurrë në dokumentarë të tillë. Aty nuk ka ka njerëz apo shenja të veprimtarisë njerëzore.

Nuk ka shtylla elektrike, rrugë, llampadarë që ndriçojnë. Mbretëria e kafshëve duket se po lëviz në një epokë de fakto imagjinare para-njerëzore (ose para-civilizimit), një univers paralel larg realitetit. Pastaj kemi hilet e përdorura në fazën e post-produksionit.

Filmimet e kafshëve bëhen shumë shpesh nga një distancë e madhe, ndaj është e vështirë të kapësh edhe zhurmat. Gati gjithnjë, ato shtohen më vonë:ndonjëherë përdoren regjistrime të tjera, ndonjëherë ato prodhohen në studio, falë ndihmës së efekteve zanore.

Zhurma e shkëputjes së mishit nga kockat e presë në dhëmbët e luanit që dëgjon shikuesi, me shumë gjasa është një tingull i prodhuar në studio. Imazhet janë hiper-realiste. Lentet e përdorura na lejojnë që të kapim detaje që i shpëtojnë syrit të njeriut.

Parë direkt, disa pendë duken më pak të shndritshme dhe të nuancuara. Për të mos përmendur skena të caktuara të qiellit gjatë natës, ku Rruga e Qumështit falë edhe ekspozimit të gjatë, shfaqet e shndritshme në një formë që askush nuk ka qenë në gjendje që ta shohë atë.

Muzika bën pjesën tjetër. Është një shoqërim i kalibruar, ndonjëherë narrativ. Ai tregon emocionin që duhet ndjerë në ato momente (frikë, gëzim, qetësi), dhe gjithashtu aludon përmes interpretimit që i duhet dhënë kontekstit (cili dokumentar nuk i shoqëron lëvizjet e pinguinëve me muzikë gazmore?).

Rezultati, shkruan Marris, është se për miliona njerëz që jetojnë në qytet, kjo është ideja e natyrës. Një realitet i bukur dhe i paarritshëm, i egër dhe i paprekur, pa të gjitha gjërat më pak fotogjenike, si i ftohti, mushkonjat, balta dhe orët e gjata kur kafshët nuk bëjnë asgjë fare.

Mbi të gjitha, pa njerëz.

Është një mbretëri e fantazisë, e ndërtuar me sforco ndonjëherë të tepruara (në vitin 2013, dokumentari i BBC “Afrika” u kritikua sepse nuk kishte as një afrikan), çka tregon se ekzistojnë ende hapësira të tilla të mëdha, sidomos në Afrikë, të egra dhe të harruara (me siguri që ka, por ato janë të kontrolluara nga qeniet njerëzore).

Me pak fjalë, nëse hiqet njeriu, zhduket edhe veprimi i tij mbi mjedisin. Nuk ka asnjë gjurmë të ndotjes, emisioneve, ndryshimeve klimatike, shpyllëzimeve. Kjo nuk do të thotë, vazhdon Marris, që çdo dokumentar mbi natyrën, duhet të shndërrohet në një leksion mbi pasojat e ndryshimit të klimës. Zoti na ruajt.

Megjithatë, problemi i vërtetë është një tjetër. Kjo do të thotë, se ky version ideal i natyrës rrezikon që të në japë një pamje të deformuar të mjedisit me konotacione anti-njerëzore. Është antiteza e vjetër midis peizazhit të pa kontaminuar dhe civilizimit, tanimë e vjetruar në qarqet e ekspertëve, por ende e gjallë tek shumica e popullsisë, dhe siç duket pranohet edhe nga vetë Atenborou, që thotë se është nostalgjik për kohën kur nisi profesionin e tij, kur natyra e egër që sodiste ishte e pa ndotur dhe e përsosur.

Por ky është një vizion i vjetruar. Siç shkroi në vitin 1995 historiani i mjedisit Uilliam Kronon, shkretëtira “nuk është pika e vetme në planet, që është e ndarë nga njerëzimi, ajo është më tepër një krijim njerëzor”. Ose thënë më mirë “nuk është një vend i shenjtë primordial, ku mbetjet e fundit të një natyre të paprekur e të rrezikuar, arrijnë të mbijetojnë pak më gjatë pa njollën e civilizimit”.

Përkundrazi, është një rindërtim, i lindur në kohën e eksplorimeve të para, dhe i rritur falë vetëdijes ekologjike. Një mit. Në këtë kuptim edhe dokumentarët, duhet të jenë gjithnjë e më shumë të vetëdijshme mbi këtë perceptim të gabuar.

Për shembull, ata mund të tregojnë së bashku me kafshët që migrojnë përgjatë Serengetit, edhe karvanët e xhipave plot turistë të cilët nga rrugët aty pranë realizojnë fotot e tyre. Ose shtëpitë dhe fshatrat që ndodhen shumë pranë parqeve kombëtare.

Qasja e duhur nuk do të jetë një “zhytje” në botën e kafshëve, por një lexim i ndërveprimit midis natyrës dhe njeriut. Kjo gjë ndoshta do të ishte më pak poetike, por sigurisht më e sinqertë. / “Linkiesta” – Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *