Qeveria dëshiron ”disiplinimin” e administratës përmes një projektligji, shoqëria civile e konsideron “praktikë komuniste”

2. LAJME

Kritika të shumta kishte drejtuar Albin Kurti ndaj administratës derisa ishte në opozitë, duke e cilësuar si tejet të politizuar. Mirëpo, pas ardhjes në pushtet ai ka zgjedhur një formë përmes së cilës dëshiron “disiplinimin” e zyrtarëve publikë.

Qeveria ka hartuar projektligjin përmes së cilit synon të themelojë Agjencinë e Inspektimit Administrativ dhe përmes saj të punësojë inspektorë që do të kenë shumë të drejta mbi zyrtarët publikë në Kosovë.

Projektligji që është në fazën e konsultimeve publike, në nenin 21 flet për kompetencat e shumta, që do të kenë inspektorët administrativë.

Sipas projektligjit në fjalë inspektorët në raste të jashtëzakonshme kanë të drejtë që pa paralajmërim të shkojnë në zyrën e zyrtarit që inspektohet. Kjo procedurë mund të zgjasë deri në tridhjetë ditë.

Kur gjejnë shkelje, inspektorëve iu lejohet të gjobisin zyrtarët me nga 500-700 euro, derisa institucionet 3,000 euro.

Kjo iniciativë e Qeverisë po kritikohet nga organizatat e shoqërisë civile.

Naser Shamolli nga GLPS e quan komuniste një praktikë të tillë.

“Ky është më shumë një relikt i ish vendeve të ish-Jugosllavisë që kanë dalë nga komunizmi. Është mirë që të fuqizohen mekanizmat kontrollues që janë të mjaftueshëm me legjislacion të Administratës Publike”.

Edhe Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus” kundërshton formimin e një mekanizmi të tillë.

“Ky inspektorat më shumë të ngjanë në një polici të brendshme që ka për qëllim të shantazhoj dhe ushtroj presion psikik mbi zyrtarët publik, sesa që ka për qëllim vendosjen e rregullsisë në administratës publike. Të gjitha fushat e inspektimit aktualisht janë të mbuluara përmes ligjeve të tjera”, ka deklaruar Krasniqi.

Demokracia Plus dhe GLPS kanë dhënë komente edhe në faqen zyrtare të Qeverisë, duke rekomanduar mos procedimin e ligjit në Qeveri./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *