Vuçiqi ironizon me Kurtin: Po imagjinon marrëzira, po presim të bëjë më mirë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për fatin e Marrëveshjes së Washingtonit pas zgjedhjes së Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës, tha se është e qartë se kush nuk dëshiron dialog, raporton Tanjug, transmeton Gazeta Express.

“Sa i përket Serbisë, ajo gjithmonë respekton marrëveshjet e nënshkruara, dhe nëse dikush thotë se nuk është i interesuar ta bëjë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por se është i interesuar në ASociacionin e komunave midis Rugovës dhe Sharrit, atëherë është e qartë se ai nuk do dialog”, tha Vuçiq.

Ai po ashtu deklaroi se është i kënaqur me reagimin e Bashkimit Evropian ndaj deklaratave të Albin Kurtit mbi parimet e zhvillimit të dialogut me Serbinë.

Ai gjithashtu theksoi se BE-ja duhej të reagonte, sepse përndryshe, siç thotë ai, “nëse Kurti do të thoshte në dialog vërtet gjithçka që tha, nuk do të kishte kuptim”.

“Ne do të presim edhe pak, për të parë nëse njeriu do të bëjë pak më mirë, për të kuptuar se cilat janë detyrimet e Prishtinës. Nëse ai nuk dëshiron, gjithashtu, faleminderit. Ne do të jemi gati për dialog, dhe nëse ai dëshiron – ai do të dialogojë, nëse nuk do – nuk ka pse”, tha Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Vuçiq tha se Kurti së pari duhet t’ia kujtojë vetes detyrimet që i ka Kosova nga marrëveshjet e mëparshme të nënshkruara me Serbinë.

“Pa përmbushur detyrimet, ai mund vetëm t’i imagjinojë marrëzitë që po i thotë”, tha Vuçiq.

Të hënën, para seancës ku u zgjodh kryeministër i Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në një diskutim për dialogun, të organizuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur për ta parë prespektivën e Qeverisë së re lidhur me këtë çështje. Aty kreu i Qeverisë tha se s’mund të ketë as Asociacion të komunave me shumicë serbe, të cilin Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kërkojnë Kosovës që ta themelojë sa më shpejt.

“Neni 44 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës garanton lirinë e asocimit, prandaj besoj që nuk ka nevojë të negociohet për diçka që ne e kemi të garantuar me Kushtetutë. Kapitulli i dytë i Kushtetutës normon të drejtat dhe liritë themelore. Në anën tjetër, nuk mund të kemi Asociacion njëetnik- e thotë edhe Gjykata Kushtetuese. Mund të ketë Asociacion të komunave të bjeshkës së Rugovës, maleve të Sharrit, etj., por jo njëetnik”, ka thënë Kurti në këtë tryezë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *