Wilson Center: Serbia kërcënon rajonin

Qendra Wilson, me seli në Shtetet e Bashkuara, në një raport të publikur tha se forcimi i sovranitetit të Kosovës duhet të jetë në qendër të strategjisë amerikane dhe evropiane për integrimin euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor.

Dokumenti me temën “Konsolidimi i sovranitetit të Kosovës: pse ka rëndësi dhe çfarë duhet bërë?” thekson se Serbia është faktori më i madh i destabilitetit në rajonin e Ballkanit.

Kjo pasi që Beogradi zyrtar ndërhyn në punët e brendshme të vendeve të rajonit, koketon me Rusinë dhe Kinën dhe në asnjë mënyrë nuk e pranon Kosovën e pavarur.

“Një angazhim i ripërtërirë për konsolidimin e sovranitetit të Kosovës është një mjet i qartë me të cilin partnerët e Kosovës mund të demonstrojnë përkushtimin e tyre ndaj një partneri demokratik dhe një qëndrim parimor ndaj sjelljes joliberale dhe destabilizuese të Serbisë dhe kundërshtimin ndaj lidhjeve të saj ushtarake në rritje me Rusinë dhe Kinën”, thuhet mes tjerash në raport.

Në kuadër të propozimeve për hapat që duhet ndërmarrë nga perëndimi thuhet mes tjerash se lehtësuesit e bisedimeve duhet të hedhin poshtë idetë për ndryshime kufijsh, të ripërtërihet përkushtimi ndaj një dialogu mes të barabartëve, të punohet për përfshirjen më të madhe të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe të hapet rruga për anëtarësimin e saj në NATO deri në vitin 2027.

Për raportin e Qendrës Wilson, i përpiluar nga një numër i konsiderueshëm profesorësh e ekspertësh të zhvillimeve në rajon dhe Kosovë, ka folur për Klan Kosova kryeautorja e punimit, Anna Di Lellio, profesoreshë e Universitetit në New York.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com