Zyra për Mbrojtjen e Viktimave funksionon vetëm me 25 zyrtarë

2. LAJME

Policia nuk ka lëshuar një urdhër mbrojtës emergjent për Lirije Qerimaj, të cilin e kishte kërkuar më 1 janar gjatë një interviste të dhënë në Polici pas rastit të raportuar për dhunë në familje, ku viktimë ishte Lirija, ndërsa rastin e kishte raportuar djali i saj.

Lirije Qerimaj u vra më 5 janar ndërsa i dyshuari për këtë rast tragjik është burri i saj, Skender Qerimaj.

Dosja e Prokurorisë, të cilën e kishte siguruar KALLXO.com, thoshte se vetë burri pasi dyshohet se ka kryer vrasjen, kishte shkuar në Polici, ishte dorëzuar dhe kishte treguar se kishte vrarë gruan e tij e më pas kishte dorëzuar edhe armën që dyshohet se është përdorur në rast.

Në emisionin e sotëm “Kallxo Përnime” Ramadan Ahmeti nga Policia e Kosovës u pyet nëse është lëshuar një urdhër emergjent.

“Nuk u lëshu urdhri”, tha Ramadan Ahmeti.

Labinot Leposhtica nga Zyra Ligjore e BIRN, përmendi edhe disa detaje që ishin theksuar në dosjen e Prokurorisë kur është kërkuar masa e paraburgimit për Skender Qerimajn të dyshuarin si doras i vrasjes së gruas së tij.

“Në kërkesë për caktimin e paraburgimit thuhet se pas intervistimit më 1 janar, i është lënë Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave me parashtru urdhrin mbrojtës. Kjo na sjell një situatë që ju ka lënë një obligim Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave a në fakt këta janë njoftu 4 orë pasi ka përfundu procedura në Polici”, thotë Leposhtica.

Ai kërkon shpjegim se si i është lënë Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave obligimi prej Policisë dhe QPS për të parashtruar urdhrin për mbrojtje kur nuk kanë qenë të pranishëm në intervistën në Polici.

Leposhtica thotë se një praktikë e tillë është e çuditshme.

“Ashtu në raportin tonë thuhet se pas orës 19:07 është njoftu përmes telefonit, pas disa pyetjeve që i ka bë mbrojtjësja e viktimave Policisë të njëjtës i ka sugjeru për me lëshu urdhër mbrojtjes”, tha Kastrati.

“A i bjen kjo që tek pasi janë kthy në shpi, raportuesja, djali i saj dhe i dyshuari, është njoftu Zyra për Mbrojtjen e Viktimave që i ka sugjeru me marrë urdhrin emergjent?”, kërkoi sqarime shtesë Leposhtica nga Kastrati.

“Po, sipas raporteve po”, përgjigjet Kastrati ndërsa pason pyetja tjetër nëse kjo procedurë është standarde.

“Jo nuk është standarde po është procedurë që është përmend në këtë rast, thash sipas ligjit obligohen të gjithë akterët që janë prezent me kërku masën mbrojtëse”, tha Kastrati.

Kastrati përmendi edhe kërkesat që janë bërë për të kërkuar përgjegjësi në trajtimin e këtij rasti.

Korab Sejdiu, avokat dhe pjesë e ekipit që dërgoi në Gjykatë Kushtetuese rastin e Diana Kastratit e vrarë e njëjta nga bashkëshorti i saj në vitin 2011, përmend disa probleme të cilat pamundësojnë trajtimin e këtyre rasteve.

“Po vazhdojmë me thanë po na vjen keq por problemi është që nuk besoj që po adresojmë problemet që po na bijnë në kësi raste. Fillimisht është problem i shoqërisë nuk po investohet nga shkollimi elementar që me vendos në kokën e secilit faktin se dhuna në familje nuk është e pranueshme është dukuri negative por nuk po bëjmë mjaft me eleminu atë dukuri negative që ka shoqëria jonë”, thotë Sejdiu.

“E dyta është problemi kronik që kemi në administratë publike diku më shumë e diku më pak, ku nuk e shohim veten si shërbyes po si të punësuar dhe shpesh herë i ikin përgjegjësisë së detyrave të punës. Në shumë raste nuk i shohim dhe nuk bëhen mediatike pasojat e atyre mos përgjegjësive ndaj detyrave zyrtare të punës sepse janë edhe humbje e të hollave apo ndonjë e drejtë tjetër”, shton Sejdiu.

Ai shton se mungesa e mjeteve juridike i lë zyrtarët të mos marrin përgjegjësi për punët e pakryera.

“Mungesa e mjeteve juridike dhe një sistemi gjyqësor joefikas i lë në një far mënyrë me nejt ma rehat në atë tregimin e mos përgjegjësisë, nuk ke përgjegjësi brenda institucionit, në hierarki, në mjete juridike se janë jo efikase marrin kohë shumë të gjatë dhe çka ndodh, zyrtarët ndihen rahat mos mi kry punët e tyre dhe thjesht e kanë atë problemin ku dojnë me hek prej tavolinës vet me qu diku tjetër e jo mu mundu me gjet zgjidhje”, shpjegon Sejdiu.

Një hulumtim i KALLXO.com zbardhi se si mbrojtja e viktimave u njoftua përmes emailit nga Policia për rastin e dhunës në familje ndaj Lirije Qerimajt, e cila u vra katër ditë pas raportimit të dhunës fizike ndaj saj.

Vetë mbrojtësja e viktimave Hatixhe Latifi kishte treguar për KALLXO.com se nga zyrtarët policorë kishte kërkuar që dosjen të ia dërgonin përmes emailit deri sa tregonte se kishte sugjeruar zyrtarët policor që për urdhër mbrojtje ta njoftonin koordinatorin regjional të dhunës në familje.

Kjo pasi që këtë urdhër mbrojtje emergjent mund ta lëshoj edhe policia në raste emergjente dhe kohë festash deri sa të bëhej kërkesë në gjykatë nga zyra për mbrojtjen e viktimave.

Në ditën kur Lirije Qerimaj kishte kërkuar urdhër mbrojtje ishte ditë e shtunë, për shkak të festave të fillim vitit festat zyrtare u bartën në ditën e hënë dhe e martë ndërsa një kërkesë për urdhër mbrojtje u la të ushtrohej tek të mërkurën pesë ditë pas raportimit për dhunë në familje.

Në emisionin e sotëm që po transmetohen në Kallxo Përnime, zbardhen edhe detaje të reja në lidhje me trajtimin e rastit të dhunës në familje që ishte raportuar më 1 janar.

The post Kurti i përgjigjet Sekretarit amerikan të Shtetit: Mezi pres të punojmë së bashku appeared first on Raporto Korrupsionin! KALLXO.com.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *